18 Janar 2026 00:17

Zërat që ngjallën krenarinë kombëtare në Shkup

Shkupi mbrëm përjetoi një nga ngjarjet më të ndritshme kulturore të vitit një mbrëmje që nuk solli vetëm muzikë, por frymë, identitet dhe emocion të pastër kombëtar.

Gala Koncerti i 28 Nëntorit u shndërrua në eventin kryesor kulturor të 2025-së në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, një spektakël që tejkaloi kufijtë e artit dhe u bë përjetim kolektiv.

Në skenë u ngjitën emra që bartin peshën e kulturës shqiptare kudo në botë. Inva Mula, diva e operës ndërkombëtare, u rikthye në Shkup me një interpretim që dukej sikur e ndalte kohën. Zëri i saj, i njohur për elegancë, fuqi dhe ndjeshmëri, mbushi sallën me një energji që rrallë përjetohet. Pranë saj shkëlqeu Dëshira Ahmeti Kërliu, një pasuri e skenës shqiptare, e cila solli një finesë të veçantë që i dha koncertit një dimension intim e po aq të fuqishëm. Ndërsa tenori Ismet Veseli, me interpretimin e tij plot pasion, ngriti emocionin në kulm, duke e bërë publikun ta ndjejë artin si një vibrim të brendshëm.

Publiku në Shkup nuk ishte thjesht spektator, por pjesë e një përjetimi të përbashkët. Në sallë kishte duartrokitje që shpërthenin spontanisht, sy të përlotur, njerëz që ndanin krenarinë në të njëjtën frymë. Ky koncert u bë më shumë se një ngjarje artistike u shndërrua në një ritual modern të identitetit shqiptar, një mënyrë e re për të nderuar historinë, flamurin dhe rrugën e një kombi që vazhdimisht e ngre kulturën mbi çdo sfidë.

Shkupi sonte u mor me art, u zbukuroi qytetarëve shpirtin, u bë qendra e krenarisë shqiptare. Ky Gala Koncert është pa dyshim ngjarja kulturore e vitit jo vetëm për cilësinë e artistëve, por për atë që ngjalli: unitet, dinjitet dhe një moment të paharrueshëm të përbashkët.

Sonte ishte një mbrëmje që do të kujtohet gjatë. Një mbrëmje për artin. Për shqiptarët. Për flamurin. Për kombin, keto fotografi flasin sa 1000 mijë fjalë.