18 Janar 2026 00:22

Kosovare Asllani një nder futbollistet me të mira ne botë


Në çdo hap të saj, ajo mban me vete historinë e dy vendeve Suedisë që e rriti si sportiste dhe Kosovës që i dha gjakun, karakterin dhe krenarinë

Edhe pse verën e kaluar 36-vjeçarja la të nënkuptohej se Europiani mund të ishte kapitulli i fundit në kombëtaren suedeze, lista e parë e trajnerit Tony Gustavsson për vjeshtën tregoi të kundërtën. Emri i saj ishte aty një prani e natyrshme, thuajse e pashmangshme.

Në Reims, kundër Francës, Asllani bëri pikërisht atë që e ka bërë për më shumë se një dekadë qëndroi e qetë, precize dhe e rëndësishme. Pavarësisht humbjes 2–1, ajo ishte ura e lidhjes mes përvojës dhe brezit të ri. Pasi idha Johanna Rytting Kaneryd me një pasim të përsosur në pjesën e parë, krijoi edhe vetë rrezik, por goditja e saj u neutralizua nga portierja franceze Pauline Peyraud-Magnin.

Kjo ishte ndeshja e 206-të për kapitenen suedeze Kosovare Asllanin një numër që nuk flet vetëm për kohëzgjatje, por për peshën që ka mbajtur ky emër në futbollin suedez. Më e afërta tek ajo në përvojë ishte Filippa Angeldahl, me vetëm 78 ndeshje. Diferenca, në vetvete, është një tregim.

“Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë ndryshime si tani,” tha ajo. “E ndiej përgjegjësinë dhe dua të ndihmoj, sepse zemra ime për këtë ekip është shumë e madhe.”
Largimet e veteraneve si Linda Sembrant dhe Magdalena Eriksson e kanë shtuar edhe më shumë rolin e saj – jo vetëm si futbolliste, por si busull për një skuadër që kërkon rindërtim.

Forma e saj e shkëlqyer në London City këtë sezon tregon se koha nuk ia ka marrë ende as shpejtësinë, as urinë për lojë.

“Jam mirë fizikisht, po e shijoj futbollin. Jam ende e gjallë, e pranishme. Kur të mos e ndiej më këtë, atëherë…,” tha ajo, duke e lënë fjali të hapur siç lënë të hapura njerëzit që nuk i dinë ende kufijtë e vetes.

Në minutat e fundit kundër Francës u zëvendësua nga Evelyn Ijeh dhe goli i humbjes erdhi menjëherë pas kësaj. Për Suedinë ishte disfata e tretë radhazi një nga periudhat më të rënda të viteve të fundit. Por Asllani, që nga viti 2008 ka qenë shtylla më e qëndrueshme e këtij ekipi, kërkoi që zhgënjimi të shndërrohej në motivim.

“Do të sigurohemi të fitojmë në shtëpi, para publikut tonë. Zhgënjimin e marrim me vete për të fituar,” tha ajo dhe këtë radhë në shqip, gjuhën e prindërve të saj nga Mitrovica e Kosovës.
Një fjali që e lidh lojën me rrënjët, fanellën e verdhë me shqiponjën dykrenare që ajo shpesh e formon.

Në thelb të gjithçkaje qëndron një ndjesi e qartë se edhe pse flet me maturi, Asllani nuk duket aspak sikur e ka veshur për herë të fundit fanellën e Suedisë.