Ish-kryetari i Podujevës dhe ish-ministri i Brendshëm, Agim Veliu, ka konfirmuar publikisht se synon të rikthehet fuqishëm në garën politike, duke kërkuar të jetë pjesë e listës së LDK-së për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Në një reagim të drejtpërdrejtë në Facebook, Veliu u shfaq i vendosur dhe i prerë së kërkesa e tij nuk është privilegj, por “përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim”. Ai e cilësoi LDK-në si “shtëpinë e përbashkët” të atyre që e kanë ngritur me mund e sakrificë në kohët më të vështira.
Me një ton kritik ndaj prurjeve të reja në parti, Veliu theksoi se dera nuk duhet t’u hapet atyre që, sipas tij, “nuk kanë qenë pjesë e LDK-së kur duhej”, ndërsa themeluesit dhe kontribuesit shumëvjeçarë rrezikojnë të mbesin jashtë listës. “Kjo nuk është vetëm çështje parimi,” tha ai “por një detyrim moral dhe institucional ndaj LDK-së, anëtarësisë dhe qytetarëve që na besojnë.”
Pavarësisht debateve të ditëve të fundit brenda partisë, Veliu u deklarua se mbetet i palëkundur në përkushtimin e tij ndaj vlerave të LDK-së dhe i gatshëm të japë kontributin kudo që i kërkohet.
Me një falënderim për mbështetësit, ai e mbylli mesazhin e tij me një sinjal të qartë së Agim Veliu synon rikthimin në Kuvend dhe e do këtë përmes shtepisë së vetë LDK-së.
