Sonte pritet të zhvillohet njëra nga ndeshjet më historike për futbollin shqiptar për herë të parë dy klube shqiptare, Drita dhe Shkëndija, përballen në një nivel kaq të lartë të garave evropiane – në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Gjilani pret Tetovarët në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 21:00, në një duel që tashmë ka ndezur emocionet në mbarë trojet shqiptare.
Skuadra e Zekirija Ramadanit po kalon një formë të shkëlqyer, jo vetëm në kampionat, por edhe në Europë, ku ka grumbulluar dy barazime dhe një fitore në tri ndeshjet e para. “Intelektualët” janë të gatshëm ta vazhdojnë këtë ecuri fantastike, duke synuar të paktën një pikë e pse jo fitoren që do t’i afronte edhe më shumë ëndrrës evropiane.
Në anën tjetër, edhe ekipi i Jeton Beqirit vjen i karikuar, me një barazim dhe një fitore në dy ndeshjet e fundit, dhe shpreson që nga ky udhëtim i vështirë të kthehet me rezultat pozitiv.
Kjo sfidë merr edhe më shumë peshë emocionale pasi zhvillohet vetëm një ditë para 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Stadiumi pritet të mbushet plot me tifozë nga të gjitha trevat shqiptare, duke e kthyer këtë ndeshje në një festë të madhe kombëtare. Në prag të 28 Nëntorit, futbolli shqiptar po dhuron spektaklin më të bukur të mundshëm: dy ekipe shqiptare duke shkruar histori në arenën evropiane.

