18 Janar 2026 00:33

Para derbit historik shqiptar Bilall Kasami viziton Gjilanin

Sot, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjilan, ku u prit nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Takimi erdhi në një moment të veçantë, vetëm një ditë para 28 Nëntorit Ditës së Flamurit, duke i dhënë ngjarjes dimension të veçantë kombëtar, veçanërisht në disa orë para përballjes historike mes Shkëndijës së Tetovës dhe Dritës së Gjilanit në Ligën e Konferencës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë

Kasami e uroi Hysenin për rizgjedhjen në krye të Gjilanit, ndërsa të dy kryetarët diskutuan mbi projektet aktuale dhe mundësitë e reja për thellimin e bashkëpunimit ndërkomunal. Të dy palët shprehën përkushtimin për çuarjen përpara të iniciativave të përbashkëta që ndihmojnë zhvillimin social, kulturor e urban të dy qyteteve.

Në frymën e festës kombëtare, dy kryetarët shkëmbyen fanellat e Shkëndijës dhe Dritës, një akt simbolik që bashkon sportin, identitetin kombëtar dhe krenarinë shqiptare. Shkëndija, që prej themelimit mban në gjoks ngjyrat e flamurit shqiptar, do të përfaqësojë sonte me krenari Tetovën dhe gjithë shqiptarët krah Dritës së Gjilanit, në një duel që shënon një moment unik në futbollin tonë.

Ndeshja e sontme pritet të sjellë emocione të mëdha, teksa shqiptarët nga të gjitha trevat bashkohen për të shënuar jo vetëm një përballje sportive, por edhe një kremte ndaj 28 Nëntorit, ditës së identitetit tonë historik dhe kombëtar.