18 Janar 2026 00:10

Kallëzim penal ndaj Fatmir Deharit

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, me arsyetimin se gjatë ushtrimit të detyrës ka kryer veprën penale “Punë të pandërgjegjshme në shërbim”.

Sipas MPB-së, Dehari dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Zjarrfikës, konkretisht gjatë procedurave të punësimit në Njësitin Territorial Kundër Zjarrit në Kërçovë.

Sektori për Punë të Brendshme në Ohër sqaron se Dehari ka dështuar të përmbushë detyrimin ligjor për mbikëqyrje njëvjeçare të punonjësve të sapoangazhuar në këtë njësit. Edhe pas përfundimit të afatit të përcaktuar, ai ka lejuar që personat e punësuar të vazhdojnë detyrën pa poseduar licencën e detyrueshme shtetërore për zjarrfikës, e cila duhet të lëshohet nga organi kompetent.

Sipas MPB-së, një neglizhencë e tillë jo vetëm që përbën shkelje të qartë ligjore, por paraqet edhe rrezik potencial për sigurinë publike, pasi zjarrfikësit pa trajnim dhe pa certifikim adekuat nuk mund të kryejnë siç duhet detyrat e tyre në situata emergjente.

Rasti është dorëzuar në Prokurorinë kompetente, e cila pritet të vlerësojë provat dhe të vendosë për hapat e mëtejshëm procedurale.