21 Janar 2026 13:15

20 bursa për studime jashtë vendit, asnjë shqiptar

Asnjë student shqiptar nuk figuron në listën e njëzetë fituesve të bursës prestizhioze studentore “Boris Trajkovski”, e ndarë nga presidentja Gordana Siljanovska Dafkova.

Gjatë ceremonisë, presidentja u ndal te fenomeni i largimit të të rinjve nga vendi, duke theksuar se mungesa e mundësive për avancim sipas meritës mbetet arsyeja kryesore e migrimit.

Sipas Gordana Siljanovska Dafkova, Presidente e vendit thothë së “Njëra nga arsyet kryesore pse largohen të rinjtë më të talentuar është nevoja e tyre për të krijuar vlera dhe për të avancuar jo përmes lidhjeve dhe privilegjeve, por përmes dijes dhe cilësive të tyre. Të dashur studentë, jeni pjesë e një grupi të vogël të rinjsh që ne nuk guxojmë t’i humbim.”

Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, u kërkoi bursistëve që suksesin e tyre ta kthejnë në kontribut për shtetin dhe institucionet, duke mos harruar prej nga vijnë.

“Është inkurajim që të ecni përpara me guxim, të krijoni dhe të kaloni kufijtë e të mundshmes. Kur të merrni diplomat dhe të hidhni kapelet lart, kujtoni prej nga vini dhe kush ju mbështeti në rrugën drejt suksesit.”

Bursa studentore “Boris Trajkovski” kap vlerën rreth 15 mijë euro, ku gjysma financohet nga shteti, ndërsa pjesa tjetër nga kolegji “City” i Selanikut. Kjo bursë u iniciua në kohën kur presidenti i ndjerë Boris Trajkovski ushtronte detyrën.

Si shpjegohet që asnjë student shqiptar nuk u përzgjodh për bursën “Boris Trajkovski”, duke qenë se shqiptarët përbëjnë rreth 30% të popullsisë së vendit? A ngre kjo situatë dilema mbi mënyrën e përzgjedhjes, kriteret e aplikimit, nivelin e informimit të studentëve shqiptarë, apo edhe rreth mundësisë që faktorë të tjerë socialë, institucionalë apo arsimorë beje perzgjedhje etnike./ Identiteti