Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi në samitin e G20 në Johanesburg se plani i SHBA-së për paqen në Ukrainë kërkon “përsosje” dhe koordinim më të gjerë me Evropën, pasi disa pika janë “të papranueshme” për sovranitetin e Ukrainës dhe sigurinë evropiane.
Ai theksoi se plani përfshin çështje që prekin drejtpërdrejt BE-në, NATO-n dhe asetet e ngrira në Evropë, prandaj nuk mund të jetë një iniciativë vetëm amerikane. Macron paralajmëroi edhe për “pika bllokuese”, përfshirë kufizimet e propozuara për ushtrinë ukrainase dhe mungesën e mekanizmave të parandalimit ndaj Rusisë.
Bisedimet mes europianëve dhe SHBA-së pritet të jenë “të vështira”, ndërsa në negociatat e ardhshme në Gjenevë do të përfshihen delegacione të BE-së, Britanisë dhe vendeve të Koalicionit të Vullnetit.
Sipas raporteve mediatike, draft-plani amerikan parashikon që Ukraina të heqë dorë nga disa territore në Donbas dhe të zvogëlojë ushtrinë, në këmbim të garancive të sigurisë nga SHBA-ja. Presidenti Trump ka vendosur si afat për miratimin e planit nga Ukraina javën e ardhshme.
