18 Janar 2026 01:13

Gjuha dhe identiteti shqiptar në fokus: 22 Nëntori festohet me madhështinë e duhur

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, në bashkëpunim me Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe dhe Muzeun e Alfabetit në Manastir, organizoi sot një akademi solemne për të shënuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shquara nga fusha e arsimit, diplomacisë dhe kulturës, përfshirë zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës Lulzim Aliu, drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe Granit Osmani, si dhe diplomatin Aldo Kelmenti nga Ambasada e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut. Referatin kryesor e mbajti Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane.

Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, në fjalën e tij mirëseardhëse theksoi se gjuha shqipe dhe alfabeti janë jo vetëm mjet komunikimi, por edhe urë prijëse e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore. “Me rastin e 22 Nëntorit përkujtojmë jo vetëm formimin e alfabetit, por edhe rëndësinë e vazhdimësisë së gjuhës, edukimit dhe përkushtimit ndaj dijes”, tha Fetaji.

Zëvendësministri Lulzim Aliu vlerësoi rolin e gjuhës shqipe në formimin e brezave të rinj dhe në zhvillimin e shkencës, artit dhe kulturës, duke theksuar se edhe pas një shekulli shqiptarët mbeten rojtarë të kësaj trashëgimie të çmuar.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, shtoi se Agjencia punon sistematikisht për mbrojtjen e gjuhës së shkruar shqipe, ndërsa diplomati Aldo Kelmenti vlerësoi UNT-në për rolin aktiv në kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në vend.

Gjatë referatit të tij, Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi rikujtoi sfidat historike të intelektualëve shqiptarë për afirmimin e alfabetit dhe shkollës shqipe, duke përballuar jo vetëm pushtetet e huaja, por edhe interesat lokale e grupe kulturore që pengonin zhvillimin e arsimit dhe gjuhës.

Në kuadër të ngjarjes, u nënshkrua Memorandum bashkëpunimi trepalësh mes Universitetit “Nënë Tereza”, Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe dhe Muzeut të Alfabetit në Manastir, duke konsoliduar më tej bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe edukimit.