Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka kërkuar publikisht drejtësi për aksidentin tragjik në Qarkoren e Shkupit, pranë Radishanit, ku humbi jetën bashkëshorti i saj, çiklisti Arbër Shaqiri
Reagimi i saj vjen pasi gjykata ka përfunduar procedurën paraprake dhe ka shqiptuar 7 muaj burg për personin e dyshuar se shkaktoi aksidentin fatal një vendim që Zekolli Shaqiri e cilëson të padrejtë dhe të papërballueshëm.
Në deklaratën e saj emocionale, ajo tha se përveç humbjes së rëndë, është përballur edhe me qasje të pahijshme brenda sallës së gjyqit.
“Në momentin më të rëndë, kur vendimi u shpall dhe dhimbja më pushtoi sërish, gjykatësja Dragana Isakovska më ngriti zërin. Ngriti zërin ndaj një gruaje që kishte humbur gjithçka, vetëm pse reagova njerëzisht,” tha ajo.
Zekolli Shaqiri theksoi se reagimi i saj nuk ishte institucional, por njerëzor:
“Nuk fola si profesioniste, por si nënë dhe si bashkëshorte e thyer. Uroj të mos e përjetoni kurrë një dhimbje të tillë.”
Ajo shtoi se ligjërisht nuk ka të drejtë ankese, por Prokuroria e ka këtë kompetencë, ndaj i bëri thirrje publike që të ndërhyjë dhe të kërkojë apel të vendimit.
“Kërkoj apel të vendimit, kërkoj vendim të drejtë,” u shpreh ajo.
Rasti ka ngjallur reagime të forta publike dhe pritet të rikthejë në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë në rrugë, si dhe mënyrën se si institucionet trajtojnë viktimat e aksidenteve të trafikut. H.Abazi/IDENTITETI

