18 Janar 2026 00:55

Vdekja e asistuar e binjakeve Kessler ndez debatin kombëtar në Gjermani

Vdekja kolektive e asistuar e artisteve të njohura gjermane Alice dhe Ellen Kessler ka ringjallur një debat të fortë etik dhe ligjor në Gjermani lidhur me rregullimin e së drejtës për të vdekur, shkruan Euractiv.

Dy motrat, të famshme për dekada në skenën gjermane si një dyshe artistike ikonike, vendosën t’i japin fund jetës së tyre në moshën 89-vjeçare përmes vdekjes së asistuar.

Në një letër të lamtumirës të shkruar dy ditë para ngjarjes, ato shpjeguan arsyet e vendimit dhe falënderuan faktin që një mundësi e tillë ligjore ekziston. “Sigurisht që na shpëtoi shumë telashe”, shkruanin motrat.

Vdekja e tyre u krye më 17 nëntor, në bashkëpunim me Shoqatën Gjermane për Vdekje Humane. Një avokat dhe një mjek ishin të pranishëm gjatë procedurës, e cila u konfirmua më vonë si një vetëvrasje e asistuar e përbashkët. Sipas miqve, motrat po përballeshin me probleme serioze shëndetësore: sëmundje të zemrës, humbje të plotë të shijes dhe nuhatjes, ndërsa Ellen kishte pësuar dhe një infarkt të trurit.

Pas vdekjes së binjakeve, debati publik rreth vdekjes së asistuar është rilevuar fuqishëm. Ish-ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach, i cili deklarohet si mbështetës i kësaj praktike, kërkoi vendosjen e rregullave të qarta dhe të detajuara.

“Situata aktuale lejon forma të vetëvrasjes së asistuar që janë etikisht të papranueshme”, tha ai. Sipas tij, pa rregullim të fortë ligjor nuk mund të garantohet mendësia e qëndrueshme dhe aftësia për vendimmarrje racionale tek personat që kërkojnë këtë hap. Ai nënvizoi se vendimet duhet të jenë krejtësisht autonome dhe të paprekura nga interesa financiare.

Gjykata Kushtetuese Federale hoqi në vitin 2020 ndalimin e vetëvrasjes së asistuar, duke përcaktuar se kërkuesit duhet të jenë të rritur, të aftë mendërisht dhe që veprojnë me iniciativë të tyre. Kryerja e aktit nga një person i tretë mbetet e ndaluar, pasi konsiderohet eutanazi aktive.

Sipas DPA, ligjvënës nga disa parti po punojnë për një projektligj të ri me fokus mekanizma mbrojtës, megjithëse afatet nuk janë të qarta.

Robert Rosbruch, president i Shoqatës Gjermane për Vdekje Humane, kundërshton çdo kufizim të ri. “Nuk shohim boshllëk ligjor. Kriteret janë të qarta”, tha ai, duke argumentuar se vendime të tilla zakonisht janë të menduara mirë dhe të qëndrueshme.

Në anën tjetër, zëra publikë paralajmërojnë rreth rrezikut të normalizimit të vetëvrasjes së asistuar. Gazetari Tek Weise, në një artikull të botuar në një tabloide gjermane, argumentoi se vetëvrasja nuk duhet të kthehet në një opsion “të zakonshëm” ose të dëshirueshëm.

“Ky nuk është një model për t’u ndjekur. E them këtë si besimtar”, shkroi ai, duke paralajmëruar se “po e organizojmë vetëshkatërrimin gjithnjë e më me efikasitet, për ta paraqitur si dinjitoz dhe të mbrojtur ligjërisht.”

Artikulli i tij u shpërnda gjerësisht dhe shkaktoi reagime të ashpra nga mbështetës që e përshëndetën qasjen e tij, deri te kritikë që i kërkuan të “presë të mbushë 89 vjeç para se të gjykojë”.