18 Janar 2026 01:11

Sot nis gjyqi për tragjedinë e Koçanit: 38 të akuzuar në bankën e të pandehurve

Sot fillon procesi gjyqësor për një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar vendi në dekadat e fundit: zjarrin katastrofik në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.

Nën masa të shtuara sigurie, Gjykata Penale Shkup hap seancën e parë në sallën digjitale të gjykatës në Idrizovë, të vetmen që mund të përballojë numrin e madh të të akuzuarve 35 persona fizikë dhe 3 persona juridikë.

Në bankën e të pandehurve pritet të ulen pronarët e klubit të natës “Pulse”, kompania e sigurimit të objektit, tre ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, dy ish-ministra të Ekonomisë, si dhe pjesëtarë të sigurimit të klubit. Ata akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Procesi gjyqësor do të drejtohet nga gjyqtarja Daniela Gruevska Ilievska, ndërsa Prokuroria do të përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh, të cilët konfirmuan se do të jenë të pranishëm pa përjashtim.

Gjatë një brifingu të javës së kaluar, gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë u zotuan se nuk do të ketë shtyrje të panevojshme, ndërsa Gjykata Penale paralajmëroi kontroll rigoroz të çdo raporti mjekësor në rast mungesash. Institucionet thonë se gjithçka është e përgatitur për një proces të gjatë, kompleks dhe me interes të madh publik.

Ndërkohë, prindërit e viktimave në protestën e së shtunës në Shkup i dërguan një mesazh të qartë gjyqtares dhe institucioneve: presin drejtësi, transparencë dhe asnjë tolerim ndaj fajtorëve.

Tragjedia e datës 16 mars la plagë të thella në opinion dhe ngjalli kërkesa të forta për përgjegjësi institucionale. Sot, gjithë vëmendja është drejt Idrizovës, ku nis një proces që pritet të përcaktojë përgjegjësitë e një prej fatkeqësive më të zeza në historinë e re të vendit.