Departamenti Amerikan i Drejtësisë pritet të bëjë publike brenda 30 ditësh dosjet e hetimit mbi Jeffrey Epstein. Lajmin e konfirmoi këtë të mërkurë Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, vetëm një ditë pasi Kongresi miratoi me pothuajse unanimitet projektligjin që i detyron institucionet federale të publikojnë dokumentacionin.
Gjatë një deklarate për mediat, Bondi theksoi se departamenti “do të zbatojë ligjin dhe do të garantojë transparencë maksimale”, duke vënë në dukje se publikimi do të respektojë afatet e përcaktuara me ligj nga Dhomat e Kongresit, aktualisht të kontrolluara nga republikanët.
Megjithatë, publikimi mund të mos përfshijë çdo material të disponueshëm. Disa pjesë mund të mbeten të klasifikuara nëse rrezikojnë hetimet e iniciuara nga administrata Trump ndaj figurave demokrate të lidhura me Epstein. Po ashtu, Departamenti i Drejtësisë do të ruajë anonimitetin e viktimave të trafikimit seksual, emrat e të cilëve mund të shfaqen në dokumente.
Projektligji u miratua me një shumicë dërrmuese 427 vota pro dhe vetëm një kundër. I vetmi kundërshtar ishte republikani Clay Higgins nga Luiziana, i njohur si mbështetës i fortë i ish-presidentit Trump.

