Bashkimi Demokratik për Integrim po hyn në një fazë të thelluar riorganizimi, njoftoi nënkryetari i partisë, Arbër Ademi, duke theksuar se Kongresi i dhjetorit do të shënojë fillimin e një qasjeje të re politike, pas sinjalit që qytetarët dhanë në zgjedhjet lokale.
Ademi deklaroi se, megjithëse partia nuk siguroi fitore në disa gara për kryetarë komunash, ka marrë shumicën e votës shqiptare në nivel kombëtar, çka sipas tij përbën një “mandat moral dhe politik” për të forcuar komunikimin me qytetarët.
“Do të punojmë me energji të re, transparencë dhe përgjegjësi për interesin e qytetarëve dhe të ardhmen evropiane të vendit,” u shpreh ai, duke falënderuar aktivistët dhe votuesit për angazhimin.
Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve ka hapur një valë kritikash brenda dhe jashtë partisë.
BDI humbi pothuajse të gjitha komunat e mëdha me shumicë shqiptare qendra që tradicionalisht konsideroheshin bastione të saj. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi strategjinë zgjedhore, lidhjen me bazën dhe mungesën e reformave të premtuara.
Analistët vlerësojnë se kërkesa për riorganizim nuk është thjesht një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri për të rikuperuar besimin në zonat urbane, ku VLEN arriti të shënojë fitore të rëndësishme në të gjitha komunat kryesore.
BDI-ja, nga ana e saj, thekson se mbetet e përkushtuar të mbrojë votën dhe të avancojë barazinë e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, ndërsa procesi i riorganizimit pritet t’i hapë rrugë një strukture më dinamike dhe më të hapur ndaj kritikës.

