18 Janar 2026 00:12

OKB miraton planin amerikan për paqe në Gaza

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara për zbatimin e planit të paqes të presidentit Donald Trump në Gaza, me abstencën vendimtare të Rusisë dhe Kinës.

Ambasadori amerikan Waltz e cilësoi votimin si “hapin e parë drejt konsolidimit të paqes dhe stabilitetit”, duke theksuar se SHBA-ja e mbështet rezolutën jo si kompromis politik, por si angazhim për të shpëtuar jetë njerëzish. Presidenti Trump e quajti vendimin “moment historik”, duke paralajmëruar se krijimi i Board-it të Paqes – një organ që ai thotë se do të udhëhiqet prej tij dhe nga “liderët më të fuqishëm e më të respektuar të botës” – do të mbahet mend si një nga nismat më të rëndësishme në historinë e OKB-së. Sipas tij, ky mekanizëm do të shërbejë si motor i paqes globale. Rezoluta u kundërshtua menjëherë nga Hamas, që e cilësoi atë si imponim të një mbrojtjeje ndërkombëtare mbi Gazën. Dokumenti synon zbatimin e planit 20-pikësh të Trump, duke parashikuar kalimin nga armëpushimi aktual drejt fazës së dytë: krijimin e një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit, formimin e Board-it të Paqes për qeverisjen e Gazës dhe çarmatosjen e Hamasit. Këto çështje ishin temë diskutimi edhe gjatë vizitës së fundit të princit saudit Mohammed bin Salman në Shtëpinë e Bardhë. Versioni fillestar i rezolutës nuk përmendte drejtpërdrejt krijimin e një shteti palestinez, çka frustroi vendet arabe dhe rriti rrezikun e vetos nga Moska dhe Pekini. Për të siguruar mbështetjen, SHBA-ja ndryshoi tekstin, duke shtuar një formulim që hap rrugën për vetëvendosje dhe sovranitet palestinez, nëse Autoriteti Palestinez përmbush reformat e kërkuara. Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar qartë se kundërshton një shtet palestinez, duke lënë të hapura shumë pikëpyetje mbi zbatimin e planit. Ndërkohë, Rusia prezantoi një draft alternativ më të afërt me qëndrimet e vendeve të Lindjes së Mesme, ndërsa Kina zgjodhi të mos e bllokojë rezolutën, me prioritet marrëveshjen e re tregtare me SHBA-në. Detajet e implementimit mbeten të paqarta. Përveç kandidaturës së ish-kryeministrit britanik Tony Blair, nuk dihet kush do të drejtojë Board-in e Paqes. Anëtarët e Forcës së Stabilizimit pritet të përzgjidhen në koordinim me Egjiptin dhe Izraelin, që ka refuzuar praninë e trupave turke. Trajnimi i policisë lokale mund të kryhet jashtë Gazës, në Jordani ose në Qendrën e Ekselencës për Njësitë e Policisë së Stabilitetit (CoESPU) në Vicenza, Itali. Edhe pse rezoluta shihet si një hap i parë drejt përparimit, ajo lë hapur shumë të panjohura. Stabiliteti afatgjatë i rajonit mbetet i brishtë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse plani i paqes do të mund të zbatohet plotësisht.