Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe njëkohësisht kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, ka informuar Komitetin Ekzekutiv të partisë se kanë nisur negociatat me partnerët qeverisës për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë, ndërsa disa prej tyre tashmë kanë paraqitur kërkesat e veta. Lajmin e konfirmoi Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Gjorgjija Sajkovski, në një intervistë për “Sitel”. Ai theksoi se, sipas informacioneve të dhëna nga lideri i partisë, bisedimet ndodhen ende në fazën fillestare dhe pritet të vazhdojnë gjatë periudhës së ardhshme. “Nga ajo që Kryetari informoi Komitetin Ekzekutiv, negociatat kanë filluar me aktorët politikë në Qeveri dhe aktualisht janë në fazën e parë, ku disa subjekte kanë dorëzuar tashmë kërkesat e tyre. Kryeministri do të vazhdojë dialogun në ditët në vijim dhe publiku do të njoftohet në kohë”, tha Sajkovski. Ai shtoi se beson që si VLEN ashtu edhe ZNAM mbeten partnerë të rëndësishëm të Qeverisë dhe se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.

