Filmi shqiptar “Luna Park” do të shfaqet premierë në Kosovë më 19 Nëntor 2025 në Cineplexx, Albi Mall. Në këtë ngjarje do të jenë prezent kasti i filmit si dhe njëri nga producentët Fatmir Spahiu.
Ky film me regji të Florenc Papas është përzgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në çmimet Oscar 2026, pasi kandidatura e tij është paraqitur nga “On Film Production” dhe është miratuar nga Komisioni Përzgjedhës. Ky përfaqësim shënon një hap të rëndësishëm për kinematografinë shqiptare dhe atë kosovare.
“Luna Park” e vendos historinë e tij në realitetin postkomunist të Shqipërisë, duke ndjekur rrugëtimin e Mirës, një nënë e vetmuar, dhe djalit të saj adoleshent, Tonit, të cilët përballen me trazirat civile që trondisin vendin. Filmi sjell një qasje të drejtpërdrejtë ndaj një periudhe të ndërlikuar historike dhe sociale.
Në film marrin pjesë aktorët Adriana Matoshi, Orion Jolldashi, Nik Xhelilaj, Flonja Kodheli, Amos Zaharia dhe Eno Milkani. Ekipi krijues përfshin skenaristët Florenc Papas dhe Glykeria Patramani, kinematografin Simos Sarketzis, redaktoren Federica Forcesi, dizajnerin Durim Neziri; kostumografen Stela Laknori dhe muzikën e Mater Merlic.
Producentë janë Dritan Huqi, Ioanna Bolomyi, Riccardo Neri dhe Fatmir Spahiu, ndërsa filmi realizohet nga On FILM, Atalante Productions S.A., Lupin Film, Studio Corvus dhe Buka Production.
“Luna Park” është përzgjedhur të jetë pjesë e edicionit të 55-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në GOA, Indi, duke i shtuar rrugëtimit të filmit një prezantim të gjerë ndërkombëtar.
Premiera në Kosovë ofron një mundësi të veçantë për publikun dhe median që të jenë pjesë e prezantimit të këtij projekti filmik tashmë të vlerësuar dhe me synime ndërkombëtare të qarta./KultPlus.com

