Arbër Ademi vazhdon të mos pranojë humbjen: fajëson VMRO-DPMNE-në dhe VLEN-in për “plan sistematik”
Edhe disa javë pas zgjedhjeve lokale, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, vijon të shmangë pranimin e humbjes së partisë. Në një deklaratë dhënë për TV21, Ademi tha se rezultatet e dobëta të BDI-së në disa komuna nuk lidhen me përzgjedhjen e kandidatëve të Aleancës Kombëtare për Integrim, por me atë që e quajti “plan i realizuar në mënyrë sistematike” nga VMRO-DPMNE-ja – me VLEN-in, sipas tij, në rol dytësor. “Mos-fitimi i disa pozicioneve për kryetarë komunash nuk ka të bëjë me propozimet kadrovike të AKI-së, por me një plan të menduar mirë, të realizuar në mënyrë sistematike nga VMRO-DPMNE. E këtu, këta të VLEN-it kanë pasur vetëm rol episodik”, deklaroi Ademi, duke hedhur vazhdimisht fajin te partnerët e rinj të pushtetit. Ai njoftoi gjithashtu se Kongresi i BDI-së pritet të mbahet deri më 20 dhjetor, duke lënë të hapur diskutimin e brendshëm për riorganizimin e partisë. Megjithatë, mbetet e qartë se BDI-ja, të paktën për momentin, duket më e fokusuar në gjetjen e fajtorëve të jashtëm sesa në analizimin e përgjegjësisë së vet për humbjen historike.

